KQZ tregon kur do të vendoset se cilët kandidatë për deputetë mund të garojnë në zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar për datën se kur do të vendoset se cilët kandidatë për deputetë mund të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi përmes një konference për media ka konfirmuar data 22 janar do të jetë data e fundit se kur do të dihet se cilët kandidatë për deputetë mund të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Sipas Planit Operacional të miratuar nga KQZ-ja, rekomandimet do të bëhen gati gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendim më së largu deri më 22 janar”, shtoi ai.

Elezi ka shtuar se nëse një subjekt politik apo kanidat nuk certifikohet, atëherë ai mund të paraqesë ankesë në PZAP.

“Pas verifikimit, Zyra për Regjistrim do t’i paraqesë në KQZ rekomandimet për aprovimin ose refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve. Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala është e pakënaqur me vendimin e PZAP-së”, tha tutje Elezi.