Kosova do të jetë edhe këtë vit nikoqir i ushtrimit më të madh ushtarak amerikan në Evropë, i cili organizohet nga ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë – Defender Europe 2025.
Këtë lajm e bëri të ditur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili njoftoi se më 13 qershor do të nënshkruhet marrëveshja kornizë për bashkëpunim në mbrojtje me SHBA-në.
Kurti theksoi se këtë vit, Kosova është përzgjedhur për të pritur komandën e divizionit të Ushtrisë amerikane, e cila do të udhëheqë të gjitha operacionet që do të realizohen në rajonin e Ballkanit.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ai njoftoi se ky është ushtrimi i tretë i këtij lloji që Kosova do të presë në territorin e saj, me pjesëmarrjen e mbi një mijë ushtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës, si dhe pjesëmarrës nga brenda dhe jashtë vendit.
Kurti shtoi gjithashtu se më 13 qershor do të nënshkruhet marrëveshja kornizë për bashkëpunim në mbrojtje mes ministrit të Mbrojtjes së Kosovës dhe përfaqësuesve të mbrojtjes së SHBA-së.
Ai theksoi se në mandatin e tij është investuar shumë për të bërë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO, përfshirë dyfishimin e numrit të ushtarëve, trefishimin e buxhetit, katërfishimin e trajnimeve jashtë vendit dhe rritjen drastike të blerjeve të armatimeve dhe municionit.