Kosova nuk ka asnjë rast me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK-së për dhjetë raste të dyshimta me COVID-19.

Por, edhe pas kontrollimit të këtyre mostrave, ka dalë se në Kosovë ende nuk ka koronavirus.

Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2. Me datë 04.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar dhjetë pacientë në virusin SARS CoV-2 dhe kanë rezultuar negative domethënë të dhjetë pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS CoV-2”, ka thënë IKSHPK.

Nga data 01.02.2020 deri me 04.03.2020 nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 2.164 udhëtarë. Nga Aeroporti “Adem Jashari” 327 udhëtarë, Merdare 973, Vërmicë 658, Jarinje 103, Dheu i Bardhë 43, Hani i Elezit 30, Kullë 17, Qafë Morinë 7 dhe Bërnjak 6, udhëtarë.

Ndërkaq, IKSHPK njofton se nga data 08.02 deri me 04.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 52 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.