Kosova konfirmon dy ndeshje miqësore për muajin nëntor, të dyja zhvillohen në Prishtinë

Kombëtarja e Kosovës do t’i luajë dy ndeshje miqësore në muajin nëntor, e të cilat do t’i shërbejnë përzgjedhësit Alain Giresse për ta përgatitur ekipin për ciklin e ri kualifikues për Kampionatin Evropian 2024, që nis në muajin mars të vitit të ardhshëm.

Miqësoren e parë Dardanët do ta luajnë kundër Armenisë, më 16 nëntor, derisa më pas do të përballen me Ishujt Faroe, më 19 nëntor, kundërshtar me të cilin janë ballafaquar edhe më parë.

Të dyja këto ndeshje do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kosova, ditë më parë, ka mësuar rivalët e grupit për kualifikimet e Euro 2024, ku bën pjesë në Grupin I, së bashku me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.

Ndeshjen e parë kualifikuese Dardanët do ta luajnë si mysafirë kundër Izraelit, më 25 mars.