Kosova ankohet në UEFA për thirrjet nacionaliste në Rumani

Kosova është ankuar në Komisionin Disciplinor të UEFA-s për thirrjet nacionaliste gjatë ndeshjes me Rumaninë.

Kështu është konfirmuar për CNN nga Federata e Futbollit të Kosovës.

“Me kërkesë që të merren masa adekuate në lidhje me thirrjet nacionaliste, pankartat dhe gjuhën e urrejtjes të shprehura nga tifozët e Kombëtares rumune”, thuhet në deklarimin e FFK-së.

Të martën e 12 shtatorit, “Dardanët” luajtën kundër Rumanisë në stadiumin “National Arena” në Bukuresht.

Në minutin e 18-të loja u ndërpre për shkak të shfaqjes së një baneri me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Ndeshja rifilloi tek pas më shumë se 45 minutash, teksa kombëtarja e Kosovës humbi me rezultat 2:0.