Në Spitalin e Pejës vetëm edhe 40 vende të lira për pacientë me COVID-19

Spitali i Përgjithshëm i Pejës është mbushur përplot me pacientë me COVID-19. Aktualisht në këtë spital janë të shtrirë 124 pacientë me COVID-19, prej të cilëve 101 janë në terapi me oksigjeno-terapi, tre janë në respiratorë, kurse 19 prej pacientëve janë në gjendje të rëndë.

Numri i pacientëve të shtrirë në spital me COVID-19 është gati dyfish më i lartë se në pikun e pandemisë të valës së parë që ishte në mesin e muajit gusht, kur në këtë spital kanë qenë të shtrirë deri në 70 pacientë me COVID-19. Për shkak të rritjes alarmante të rasteve, drejtuesit e spitalit, përveç objektit dykatësh të repartit të mushkërive, kanë futur në funksion për trajtimin e pacientëve me COVID-19 edhe tërë bllokun internistik me katër reparte, atë të internos, infektives, neurologjisë dhe psikiatrisë. Këto reparte kanë hyrje të veçanta, kurse pacientët e këtyre reparteve janë sistemuar në bllokun e repartit kirurgjik.

Mirëpo, pavarësisht lëvizjeve të brendshme që i ka bërë Drejtoria e spitalit për të liruar vende për trajtimin e pacientëve me COVID-19, numri i shtretërve për këta pacientë është i limituar, sepse spitali në 21 reparte ka gjithsej 400 shtretër.

“Me gjithë lëvizjet e brendshme që janë bërë, kapaciteti maksimal për pacientë me COVID-19 është 166 shtretër. Ky është maksimumi që mundemi të bëjmë, se repartet e veçanta që kanë kaluar në bllokun kirurgjik dhe repartet që janë, nuk kemi mundësi pastaj t’i trajtojmë pacientët e tjerë. Këto reparte që i kemi liruar besoj që do të jenë të mjaftueshme për t’i trajtuar pacientët, gjithmonë duke shpresuar se gjendja do të shkojë duke u normalizuar”, ka thënë Naim Sahiti, zëdhënës i Spitalit në Pejë.

Në rast se gjendja përkeqësohet dhe tejkalohet kapaciteti i paraparë prej 166 shtretër për pacientë me COVID-19, siç tha Sahiti, spitali do të marrë veprime në bashkëpunim me institucionet qendrore shëndetësore, si dhe me komunat e këtij rajoni, banorët e të cilave marrin shërbime shëndetësore në këtë spital. Por, Sahiti nuk tregoi konkretisht se për çfarë masash do të jenë ato. Në spital aktualisht më i madh është numri i pacientëve të shtrirë me koronavirus, sesa numri i pacientëve me sëmundje të tjera.

“Sipas raportit të sotëm, janë 101 pacientë të tjerë të hospitalizuar që nuk janë me COVID. Përfshirë 124 pacientët me COVID, aktualisht janë të shtrirë 225 pacientë gjithsej”, ka thënë Sahiti. Koronavirusit nuk po i shpëton as stafi mjekësor. Sahiti tregoi se aktualisht janë të infektuar 10 mjekë, 11 infermierë dhe tetë të tjerë nga shërbimet teknike.

Vetëm gjatë javës së kaluar në Komunën e Pejës janë regjistruar rreth 200 raste të reja me COVID-19. Shtimi alarmant i rasteve me COVID, jo vetëm që po e mban Komunën e Pejës në zonën e kuqe me rrezikshmëri të lartë, por edhe ka ndikuar që përveç shtimit të numrit të pacientëve të hospitalizuar të rritet edhe numri i pacientëve që marrin gjatë ditës terapinë për COVID-19 në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Fidanishte” të Pejës.

Gjatë një dite, siç tha drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, në këtë qendër mjekësore marrin terapi mbi 100 pacientë. “Gjendja bëhet edhe më e vështirë pasi që aktualisht kemi 36 veta të infektuar nga stafi mjekësor”, ka thënë Loci. Kapacitetet aktuale të shëndetit primar dhe dytësor në Pejë, sipas Locit, mund ta përballojnë trajtimin e numrit aktual të pacientëve, me kusht që ky numër nuk vazhdon të rritet. Përndryshe, nëse gjendja shkon duke u rënduar, atëherë siç ka thënë Loci, edhe në koordinim me institucionet qendrore do të merren masa të tjera, por as ai nuk tregoi se çfarë masash do të jenë ato. Që nga fillimi i pandemisë, sipas Locit, në Komunën e Pejës janë regjistruar 1 mijë e 696 raste me COVID-19, prej të cilëve 54 kanë vdekur dhe 771 janë shëruar.