Konjufca liron nga detyra edhe rreth 35 diplomatë

Shfuqizoi vendimin për 14 konsuj dhe propozoi tërheqjen nga misioni të 7 ambasadorëve sa ishte fuqiplotë në pozitën e Ministrit të Jashtëm.

Këtë praktikë Glauk Konjufca po e vazhdon edhe si ministër në detyrë.

Ai rishtas ka marrë vendim që t’i zhveshë nga detyra edhe 35 diplomatë të tjerë kosovarë.

Këtë për Klankosova.tv e ka konfirmuar këshilltari i tij, Kreshnik Ahmeti duke theksuar se kjo tash po bëhet në kuadër të procesit të rotacionit që parashihet me ligjet përkatëse.

“Ministri Konjufca ka marrë vendim për kthimin apo lirimin e rreth 35 diplomatëve. Siç parashihet edhe me ligj, diplomatët e karrierës kthehen në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ta vazhduar angazhimin e tyre, ndërsa diplomatët politikë lirohen nga detyra”, është shprehur Ahmeti.

“Arsyeja e kthimit të tyre është përfundimi i mandatit”.

Ahmeti ka deklaruar se pjesa më e madhe e këtyre diplomatëve kanë përfaqësuar Kosovën si duhet në kohën e ushtrimit të funksionit të tyre.

“Kthimi i diplomatëve nuk ka të bëjë me performancën e tyre. Më duhet të them se pjesa dërrmuese e diplomatëve kanë pasur performancë të mirë përgjatë mandatit të tyre në misionet ku kanë qenë. Kthimi i tyre ka të bëjë vetëm me skadimin e mandatit dhe respektimin e bazës ligjore”.

Deri tash është kuptuar se nga diplomatët që lirohen nga detyra janë: Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në New York, Teuta Sahatqija, Rron Kryeziu – konsull në SHBA (i biri i Ministres në detyrë të Kulturës, Vlora Dumoshi) dhe Fatmire Musliu, pjesë e shërbimit diplomatik në Gjermani(motra e deputetes së Kuvendit të Kosovës nga PDK, Ganimete Musliu).

Këshilltari i Konjufcës, ndër të 35-ët ka me grada të ndryshme diplomatike për të cilët është propozuar lirimi nga detyra, nuk ka përmendur emrat e përveçëm të asnjërit prej tyre.

“Me keqardhje më duhet të them që nuk mund të jap informacion më të detajuar në lidhje me diplomatët tanë. Praktikat e mira nuk rekomandojnë një gjë të tillë”.

Ministria e Jashtme e Kosovës për të zëvendësuar këta 35 përfaqësues të Republikës së Kosovës në botën e jashtme ka hapur konkursin ditë më parë.

“Paralelisht me kthimin e diplomatëve ne kemi hapur edhe konkursin e brendshëm për t’i zgjedhur diplomatët e tjerë të cilët do të shkojnë në këto pozicione të misioneve të jashtme. Më duhet të theksoj se një konkurs i tillë po realizohet për herë të parë në historinë e MPJ-së”.

“Pra, tash e tutje nuk do të ketë vendime arbitrare në tavolinën e Ministrit se cili diplomat në cilin mision do të shkojë. Por, do të ketë procedura të rregullta profesionale, siç ndodhë edhe në vendet e përparuara”.

Në fillimmarsin e këtij viti Konjufca i kishte propozuar Presidentit Hashim Thaçi që të tërheq nga misioni diplomatik, Ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku si dhe gjashtë diplomatë të tjerë: Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu.

Paraprakisht Konjufca kishte tërhequr vendimin për emërimin e 14 konsujve, nënshkruar nga paraardhësi i tij në krye të diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli

SHARE