Shoqërohet në Polici drejtori i shkollës së mesme në Malishevë, dyshohet se keqtrajtoi dy nxënëse sa ishte mësimdhënës

Keqtrajtimi i nxënëseve nga personeli mësimor në shkollat tona nuk është një dukuri e padëgjuar më parë në Kosovë, por shumë shpesh është mbajtur e mbyllur për publikun, e tepër rrallë është denoncuar edhe në Polici.

Një rast keqtrajtimi i cili rezulton të jetë mbajtur larg syrit të publikut dhe organeve të drejtësisë për plot dy muaj, dyshohet se ka ndodhur mëngjesin e 24 marsit 2022, në shkollën e mesme profesionale “Lasgush Poradeci” në Kijevë të Malishevës.

Sinjali mëson se është denoncuar drejtori i shkollës, që në kohën kur dyshohet se ka ndodhur rasti ka ushtruar detyrën e mësimdhënësit. Prokuroria ka nisur hetimet ndaj si di i dyshuar për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Kur u denoncua drejtori i shkollës dhe nga kush?

Rasti dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit të 24 marsit, në hapësirat e shkollës së mesme, derisa drejtori tashmë i dyshuar, atë ditë ishte kujdestar i ditës dhe po mbikëqyrte që procesi mësimor të niste me rregull. Por siç duket nuk shkoi ashtu siç duhet, pasi mësimdhënësi dyshohet se i sulmoi dy nxënëse, të cilat ishin duke hyrë në klasën e tyre.

Ndonëse rasti ka ndodhur para dy muajsh, nuk u raportua deri më dje, në orët e mesditës, kur dy vajzat vendosën ta denoncojnë drejtorin e shkollës në Polici.

Cilat janë pretendimet e nxënëseve dhe pse nuk u lajmërua rasti me kohë në Polici

Sinjalizues të Sinjalit kanë bërë të ditur se dy nxënëset po pretendojnë se janë keqtrajtuar nga mësimdhënësi i tyre, brenda hapësirave të shkollës, edhe pse s’kanë bërë ndonjë veprim të pahijshëm.

Sipas vajzave, mësimdhënësi i tyre i ka keqtrajtuar, duke i shtyrë e sulmuar me ditarin e shkollës dhe më pas iu ka drejtuar me fjalët “ a jeni në shkollë apo ku jeni”. Kjo rast bëri bujë të madhe brenda shkollës, por u izolua për publikun dhe organet e rendit.

Edhe pse vajzat e raportuan rastin në organet e shkollës, në ditën kur ka ndodhur, drejtoria nuk mori asnjë veprim që të njoftojë Policinë për atë se çka kishte ndodhur. Ngjarja u tentua të fshihej duke ia shqiptuar mësimdhënësit një qortim gojor, që në atë kohë nuk ushtronte pozitën e drejtorit.

Vërejtja gojore që u shqiptua në zyrat e shkollës siç duket nuk i prishi punë mësimdhënësit, i cili më pas e mori detyrën e drejtorit. Zgjedhja e tij në këtë pozitë “aktivizoi” dy nxënëset për të kërkuar drejtësi në organet e rendit, meqë nuk mund ta pranonin faktin që mësimdhënësi për të cilin pretendojnë se i ka sulmuar, do ta udhëheqë shkollën.

Pas denoncimit të rastit, Policia u aktivizua për t’i intervistuar palët e përfshira.

Si u mbrojt nga këto pretendime drejtori i shkollës?

Më t’u raportuar rasti që kishte ndodhur muaj më parë, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, drejtorin e shkollës, i cili është intervistuar nga hetuesit për dyshimet për keqtrajtimin e nxënëseve derisa po ushtronte detyrën zyrtare.

Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se gjatë dhënies së deklaratës së tij në Polici drejtori e ka mohuar në tërësi veprën për të cilën dyshohet, me arsyetimin se nuk ka përdorur dhunë ndaj nxënëseve, por vetëm ua ka tërhequr vërejtjen, meqë sipas tij ato e kanë penguar zhvillimin normal të procesit mësimor.

Çka deklaruan ish-drejtori i shkollës dhe kujdestari i klasës së nxënëseve që denoncuan rastin

Për të kuptuar rrethanat e ngjarjes, Policia ka ftuar edhe dy dëshmitarë, për të dhënë versionet e tyre se çfarë kishte ndodhur më 24 mars. Bëhet fjalë për ish-drejtorin e shkollës, që në kohën kur ka ndodhur rasti ka ushtruar detyrën e drejtorit, si dhe kujdestarin e klasës.

Se rasti është mbajtur i mbyllur është konfirmuar edhe nga deklarimet e dy dëshmitarëve. Dy palët e intervistuara kanë pohuar se kanë qenë në dijeni për këtë rast që u mbajt i mbyllur, por s’e kanë bërë publik meqë sipas tyre ishte shqiptuar një vërejtje gojore ndaj profesorit dhe ky dënim ka qenë i mjaftueshëm.

Pas përfundimit të intervistimit të të gjithë personave të përfshirë në rast dhe dëshmitarëve, prokuroi ka urdhëruar që të iniciohet rast ndaj drejtorit dhe i njëjti te hetohet në procedurë të rregullt.

Lidhur me këtë rast, Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe Policinë për ta konfirmuar rastin. Nga Drejtoria Rajonale në Gjakovë kanë njoftuar për Sinjalin se ndaj drejtorit të shkollës është iniciuar rasti “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.