Nga kjo datë pasagjerët që udhëtojnë drejt Zvicrës duhet të karantinohen për 10 ditë

Të gjithë pasagjerët që udhëtojnë për në Zvicër, duke filluar nga data 20 shtator 2020, duhet të vetizolohen për 10 ditë.

Tirana Airport Partners bëri të ditur se njoftimi u është përcjellë kompanive ajrore që operojnë në Zvicër, nga Qeveria zvicerane.

Nga ky rregull, nuk përjashtohen as udhëtarët që kanë bërë testin dhe kanë rezultuar negativ, thuhet në njoftimin zyrtar. Thyerja e këtij rregulli, përbën shkelje ligjore.

Hyrja në Zvicër, ende nuk u lejohet shtetasve shqiptarë, me përjashtim të rasteve të veçanta.

“Shtetasit që kanë të drejtë të udhëtojnë nga Shqipëria në Zvicër, qofshin këta pjesëtarë të diasporës me leje qëndrimi në Zvicër apo dhe në vende të tjera të hapësirës Shengen, si dhe shtetas zviceranë e të huaj, të cilët mund të kenë ardhur në Shqipëri për arsye turizmi apo pune, në momentin që duan të udhëtojnë drejt shtetit zviceran janë të detyruar të hyjnë na karantinë për 10 ditë”, bën të ditur TIA.