Komuna e Klinës rrezikon të paditet për shkak të investimeve në prona të pa shpronësuara

Raporti i Auditimit për vitin 2019, për Komunën e Klinës, tregon se kjo komunë rrezikon të përballet me padi në të ardhmen për shkak të investimeve publike në parcela të pa shpronësuara. Nën arsyetimin që kostoja e shpronësimit do të kishte ulur vlerën e investimeve, kishte shtyrë komunarët që fare të mos i shpronësojnë parcelat.

Raporti i Auditimit bën të ditur se komuna nuk ka zhvilluar proces të shpronësimit në asfaltimin e  rrugëve dhe ndërtimin e kanalit të ujitjes në disa fshatra.

“Gjatë testimit të projekteve kapitale të realizuara për asfaltimin e rrugëve në fshatrat e komunës së Klinës si dhe ndërtimin i dy9 kanaleve të ujitjes, kemi vërejtur se komuna nuk ka zhvilluar një proces formal të zgjidhjes së çështjeve pronësore të pronave ku janë realizuar investimet kapitale”, thuhet në të gjeturën e raportit.

Auditori bën të ditur se sipas zyrtarëve të komunës nëse do të zhvilloheshin procedura të shpronësimit do të rriteshin kostot për komunën dhe në këtë mënyrë do të zvogëlohej mundësia financiare e komunës për të investuar në projekte kapitale.

Raporti vlerëson se Komuna rrezikon të përballet me padi në të ardhmen nga pronarët e parcelave, ku përveç kompensimit të shpronësimit do të shkaktohen edhe shpenzimet tjera shtesë.

Kreut të Komunës iu rekomandua të siguroj që çështjet pronësore të trajtohen sipas ligjit para inicimit për investime.

“Kryetari duhet të sigurojë se çështjet pronësore do të trajtohen në bazë të dispozitave ligjore para inicimit të tenderimit për ekzekutim të projekteve kapitale – ndërtim/zgjerim të rrugëve dhe infrastrukturë tjetër për mirëqenie të përgjithshme ekonomike dhe shoqërore”, thuhet në rekomandim.

Në raport thuhet se sipas nenit 4.2 të Ligjit nr.03/L-139 për shpronësimin e pronës së paluajtshme- “Organi Shpronësues i Komunës është kryetari i Komunës, përveç nëse Kuvendi Komunal i Komunës përkatëse, përmes një akti të miratuar në përputhje me nenin 12 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, cakton një Autoritet tjetër Publik Komunal për të vepruar në cilësinë e Organit Shpronësues të Komunës”.

Tutje thuhet se Neni 4 pika 2.4.3.1 përcakton se “Organi Shpronësues i Komunës mund të bëjë shpronësimin e pronës së paluajtshme vetëm nëse ndërlidhet me rrugët komunale (rrugët të cilat shtrihen tërësisht brenda komunës) të cilat ofrojnë shërbime të transportit për publikun”, si dhe pika 2.4.3.3 “Gypat që përdoren për sigurimin e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit për vendbanimet brenda Komunës”.

Përmes letër konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kryetari i Komunës së Klinës konfirmoj se e ka draft pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit  pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2019 të Komunës së Klinës.