Komuna e Klinës ka nderuar me mirënjohje Dr. Bardhyl Rracin, pas shpalljes së tij “Kirurgu Oral i Vitit 2024” në një prej garave më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë, organizuar në Londër nga British Healthcare Aëards dhe International Aëard of Excellence.
Dr. Rraci, i njohur për përkushtimin dhe profesionalizmin e tij shumëvjeçar, arriti të vlerësohet si njëri ndër më të mirët në botë në fushën e kirurgjisë orale, duke e ngritur lart emrin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ky çmim përfaqëson jo vetëm suksesin personal të Dr. Rracit, por edhe një moment krenarie për gjithë qytetarët e Klinës dhe më gjerë.
Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, e priti në takim Dr. Rracin për ta uruar për këtë arritje të jashtëzakonshme dhe për t’i dorëzuar një mirënjohje zyrtare në emër të komunës, si shenjë vlerësimi për kontributin dhe përfaqësimin e denjë të vendit.
“Bardhyli është një shembull frymëzues për të rinjtë – dëshmi e gjallë se me punë sistematike, përkushtim dhe profesionalizëm mund të arrihen majat në çdo fushë. Jemi krenarë që ai rrjedh nga Klina dhe e ka filluar rrugëtimin e tij këtu,” – tha kryetari Elezaj.
Dr. Rraci ka ndjekur një rrugë të suksesshme akademike dhe profesionale: shkollën fillore në Klinë, të mesmen në Pejë, studimet universitare në Prishtinë, si dhe trajnime të specializuara në disa nga universitetet më të njohura ndërkombëtare.
Ky vlerësim përbën një dëshmi të nivelit të lartë të ekspertizës që profesionistët shëndetësorë nga Kosova mund të ofrojnë në skenën globale.
Komuna e Klinës, me këtë mirënjohje, ka shprehur jo vetëm respektin për një profesionist të shkëlqyer, por edhe mbështetjen për të gjithë ata që punojnë me pasion për të ngritur imazhin e vendit tonë.