Komandanti i Njësisë Speciale: Krenar me ju djema – pamë djajtë në sy, i pamë të binin duke qarë e vrapuar

Komandanti i Njësisë Speciale të Kosovës, Besart Ahmeti pas sulmit terrorist në veri të Kosovës, është shprehur se ndjehet krenar për të gjithë ata që morën pjesë në aksionin e së dielës në fshatin Banjskë, të Zveçanit.

Ahmeti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka reaguar ndaj disa deklaratave, të cilat i quajti gënjeshtra.

“Krenarë për djemtë, pamë djajtë në sy, i pamë të binin, duke qarë dhe duke vrapuar, më vjen keq për ata që nuk e kanë idenë se çfarë ka ndodhur dhe duke thënë gënjeshtra sikur ishin aty”, ka shkruar Ahmeti.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë katër terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, konfirmuan autoritetet e Kosovës.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake.

Në vendin ku do të bëhet çarmatimi, u pa një arsenal armësh të ndryshme, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR

Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.