“Kobrës” i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj Dibran Hoxhajt, i njohur si “Kobra” dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, të dyshuar për vrasjen e të riut Visard Cengu nga Kukësi.

Kështu tha për Klankosova.tv zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Gjyqtarja e procedurës parapake nga Departamenti Special, Violeta Namani ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale , dhe të dyshuarve iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj”, tha Gashi.

Dibran Hoxhaj po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Ndërsa, i dyshuari i shtatë R.S, dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Manipulimi me prova”.

Me datën 3 janar 2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.