Klinë në prag të balotazhit: AAK kërkon bashkëpunim me LDK-në, reagon Sokol Bashota

Në Komunën e Klinës, duket se partia që aktualisht udhëheq komunën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në krye me Zenun Elezajn, ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për balotazhin e 9 nëntorit, ku në garë janë AAK dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Kandidat për kryetar nga radhët e PDK-së është Sokol Bashota.

Sipas burimeve lokale, marrëveshja mes AAK-së dhe LDK-së përfshin bashkëpunim politik në raundin e dytë të zgjedhjeve, në përpjekje për të siguruar fitore ndaj PDK-së.

Megjithatë, kandidati i PDK-së, Sokol Bashota, në një intervistë për Klina.info, ka mohuar kategorikisht ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë, duke e quajtur atë “spekulim medial”. Ai tha:

“Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Klinës për përkrahjen që më kanë dhënë, si dhe strukturat e degës me të cilat kemi shënuar rritje të votave në të gjitha nivelet. Ndërsa sa i përket spekulimeve mediatike që janë përhapur në komunën e Klinës, kinse për koalicione të ndryshme mes AAK-së dhe subjekteve të tjera, mbetet vetëm një spekulim.

Bashota: Besoj shumë se LDK është një subjekt shumë serioz dhe institucional, i cili i respekton parimet e marrëveshjeve, dhe besoj se edhe ata do t’i përgjigjen ofertës sonë që është shumë më e mirë se ajo që ka ofruar vetë AAK-ja në Klinë. Ne kemi dhënë prova të mira të udhëheqjes me LDK-në dhe bashkë kemi realizuar shumë projekte që kanë qenë në interes të qytetarëve. Por gjithsesi, unë jam i prirur që, përtej marrëveshjeve të mundshme, të vazhdoj marrëveshjen me qytetarët e Klinës, të cilët janë të interesuar që më shumë se sa ndonjë pazar individual, të jetë interesi madhor për zhvillimin e komunës.”

“Unë do të bëj marrëveshje me qytetarët e Klinës, sikurse në të kaluarën, për t’i realizuar të gjitha ato premtime që i kam prezantuar gjatë fushatës zgjedhore. Qytetarët janë të bindur se ato premtime do t’i mbaj 100 për qind. Unë ofroj bashkëpunim të mirë me të gjitha subjektet politike me të cilat mund të bashkëpunojmë në katër vjeçarin e ardhshëm, por edhe qytetarët e subjekteve të tjera politike do t’i trajtoj njëjtë si anëtarët e PDK-së në qeverisjen time. Besoj që qytetarët tashmë janë të vetëdijshëm që nuk do të besojnë në një kryetar që nuk e ka luajtur rolin e tij si udhëheqës i komunës, por punët i kanë bërë të tjerët jashtë saj. Ka qenë një kryetar që ka rënë pre e shantazheve për interesa të ngushta, duke filluar nga punësimet e deri te projektet infrastrukturore, ku fillimisht kërkohet vota e më pas investimi. Këto gjëra nuk kanë ndodhur me mua dhe besoj që qytetarët do t’u japin verdiktin e merituar të gjithë atyre që kanë abuzuar me buxhetin dhe djersën e qytetarëve të komunës sonë.”

Balotazhi në Klinë do të zhvillohet më 9 nëntor, ndërmjet Zenun Elezajt (AAK) dhe Sokol Bashotës (PDK), në një garë që pritet të jetë ndër më të ngushtat në vend.