Prof Hajdin Morina UKSHIN HOTI

Shkruar nga Prof Hajdin Morina

(Të gjallë ose të vdekur,
na kërkoni gjithmonë në vijën e parë”- Ismail Kadare)

Në oborrin e shtëpisë
e në rrugicat e Krushës së Madhe
kur rrëzoheshe e në gjunjë përgjakeshe
në lojë fëmijësh duke mësuar ecjen,
ti drejt secilit prej nesh qenke nisur,
drejt secilit që kishte vdekur
dhe drejt secilit që ende nuk kishte lindur.

Sekush nga ujemi ynë,
ca si dhëmballë të prishura
që nga goja duhen nxjerrë,
nuk e di ç’kanë tash,
e nuk e di ç’patën me ty atëherë.

Zeusi vetëm viganëve
u vë hekura e pranga n’flatra,
e jo të tjerëve
as kameleonëve jo
që rriten horizontalisht si loza.

Atdheut ende i kanë mbetur sytë në ty,
kullë feneri për secilin prej nesh që e ka zënë deti.

Festoj me ty,
kështu si je tash
në njërën nga format më të rralla
të ringjalljes së Arbrit,
marinar i anijes pa spirancë.

Ta ndiej murmurimën
rreth boshtit të lirisë tek sillesh
ti zgalem i Republikës.

(Rixhevë, 15 shkurt 2022, në vigjilje të përvjetorit të pavarësisë)