Klinë: Burri e rrah brutalisht gruan dhe e dërgon te familja, babai i saj e denoncon dhëndrin në Polici

Rastet e dhunës në familje përditë e më shumë po rriten në vendin tonë. Viktima janë kryesisht gratë të cilat shpesh hezitojnë të raportojnë në Polici dhunën që përjetojnë nga bashkëshortët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në Klinë. Këtë herë, rasti është denoncuar nga babai i një gruaje,

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se denoncuesi e ka raportuar dhëndrin në Polici, nën dyshimet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj vajzës së tij.

Sipas dëshmisë së viktimës, i dyshuari e kishte dërguar bashkëshorten te familja e saj, pasi fillimisht e kishte sulmuar brutalisht, me grusht e me një shkop, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij. Të njëjtat burime thonë se burri i dyshuar ka deklaruar para zyrtarëve policorë se nuk e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, por vetëm kanë pasur fjalosje mes vete.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje”.