Klinë është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Në sallën e Kuvendit të Komunës së Klinë është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Të pranishëm ishin kryesuesi i KKSB-ës, z. Besim Hoti, komandanti i Stacionit të Policisë në Klinë, z. Ragip Bytyqi, anëtarë të këshillit, përfaqësues të KFOR-it slloven, OJQ-ve, etj.

Kryesuesi Hoti hapi mbledhjen duke propozuar këtë rend dite:

1. Arsyetimi i mungesave,
2. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbaleve të seancës së kaluar,
3. Siguria në Komunën e Klinës,
4. Informim nga drejtoria e Shëndetësisë rreth procesit te vaksinimit kundër virusit Covid-19,
5. Të ndryshme.

Për gjendjen e sigurisë në Komunën e Klinës komandanti i Stacionit të Policisë në Klinë, z. Ragip Bytyqi, informoi këshillin se gjendja vazhdon të jetë e qetë dhe stabile dhe shtoi se po bëhet monitorimi i aplikimit të masave për Covid-19, sidomos në orët e vona.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, z. Shemsedin Berisha, i cili potencoi faktin se deri me tani janë dhënë mbi 20.000 shërbime shëndetësore. Janë vaksinuar gjithsej 8202 persona, 5682 me dozën e parë ndërsa 2520 me dozën e dytë.
Drejtori Berisha gjithashtu apelon qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë e vaksinimit, të gjithë ata mbi moshën 16-vjeçare, pasi edhe numri i të infektuarve tani është në rritje.