Gjermania heq Kosovën nga lista e shteteve me rrezikshmëri të lartë nga COVID-19

Të dielën qeveria gjermane hoqi pothuajse 40 vende nga lista e zonave me rrezik të lartë nga COVID, duke e bërë më të lehtë kthimin për shumë udhëtarë.

Në mesin e këtyre shteteve janë edhe Kosova dhe Shqipëria, të cilat janë hequr nga lista e zonave me rrezik të lartë,

Vendet jashtë BE-së që janë hequr nga lista e rrezikut janë: Kosova, Shqipëria, Antigua dhe Barbuda, Argjentina, Australia, Bangladeshi, Belize, Bolivia, Bosnjë dhe Hercegovina, Kolumbia, Ekuadori, Grenada, Guajana, Iraku, Madagaskari, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Panamaja, Peruja, Filipinet, Moldavia, Saint Lucia, San Marino, Serbia, Seychelles, Surinami dhe Ukraina.

Njoftimi vjen përpara ndryshimeve të planifikuara në rregulloret e udhëtimit, që do të hyjnë në fuqi të premten. Nga 4 marsi do të ketë kërkesa më të rrepta për klasifikimin e vendeve si zona me rrezik të lartë.

Sipas rregullave të reja të planifikuara, fëmijët nën 12 vjeç do të mundë të shmangin karantinën menjëherë pas testimit negativ për COVID. Në përgjithësi, rregulli 3G do të vazhdojë të zbatohet për hyrjet nga të gjitha vendet: kushdo që nuk është vaksinuar ose shëruar së fundmi nga virusi do të duhet të ketë një test negativ.