Klienti kërcënon dhe ia grabit 60 euro taksistit në Prishtinë, arratiset

Rastet e vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të vjedhjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Ahmet Krasniqi’ në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka grabitur shoferin e një taksie.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 30-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka raportuar se të dyshuarit i kishte ofruar shërbim taksie dhe më pas i njëjti duke e kërcënuar ia ka marrë 60 euro para të gatshme.

Si rezultati i denoncimit, njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari që ndodhet ende në arrati.