KGjK-ja, Kurtit: Personi që mori vendimin për Pantiqin quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shprehur shqetësim për kërkesën e kryeministrit Albin Kurti për t’u informuar me emrin e gjyqtarit, i cili ka marrë vendim ligjor për ndërrimin e masës së të pandehurit Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

“Ia rikujtojmë kryeministrit se gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe si të tilla i dënojmë fuqishëm”, thuhet në njoftimin e KGjK-së.

KGjK-ja tha se emri i personit zyrtar që mori vendimin quhet “Gjyqtar i Republikës së Kosovës”.

“Sa i përket pyetjes së kryeministrit Kurti për emrin e gjyqtarit që ka vendosur në lidhje me këtë rast, Këshilli Gjyqësor publikisht e informon kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marrë këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë”.