Kërkohet rikthimi i dënimit me vdekje në Shqipëri

Avokati Ndue Pjetra ka bërë një reagim të fortë në lidhje me masakrën me tre gra të vrara dhe tre të tjera të plagosura nga Dan Hutra.

I ftuar në emisionin ‘Me zëmër të hapur’ në News24 të moderatores Evis Ahmeti, avokati Pjetra sugjeroi rikthimin e dënimit me vdekje në Shqipëri për të tilla krime monstruoze.

Ai tha se për këtë çështje duhet të pyeten vetë shqiptarët përmes referendumit.

“Jam për dënimin me vdekje, ai që vret të vritet. Ai që del prej burgu, del e vret prapë. Të bëhet një referendum në Shqipëri. Lërë ca thotë Amerikan, se e ktheu dhe vetë. Pse mos ta kthejë dhe ne. T’i themi shqiptarëve, a jeni pro kthimit të dënimit me vdekje. Kur i dënuari del nga burgu, për vepra të tilla penale, duhet të mbahen në mbikëqyrje, për mua drejtori i policisë pas këtyre vrasjeve, nuk mundet të jetë më as polic. Pra jemi katastrofë. Por tani kemi dhe një gjë tjetër, që ky shteti jonë i famshëm iu sekuestron pasuritë. Emigrantë të shkretë që blejnë shtëpi në bregdet, ia sekuestron shteti dhe i pyet; ku e ke marrë paratë? Nëse nuk vë dorë shteti, të vërë dorën populli. S’dua as Ramë dhe as Berishë. Kjo politikë duhet të zhduket!.

Klienti im më ka thënë se Dan Hutra e ka paralajmëruar masakrën. Dhe vëllai i familjes Kurti ka paralajmëruar masakrën. Ai ka thënë; veç mos dalsha nga burgu. Dhe tani hesht policia apo dhe të burgosurit.”, tha avokati.