Kërkohet paraburgimi për “Lizën”, të dyshuarin për vrasjen e Triumf Rizës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Ilir Avdullahu për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se “i pandehuri, në bashkëkryerje edhe me të pandehurit A.B, F. A, Rr.A, si grup i organizuar nga i pandehuri E.S, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që të privojnë nga jeta T.R, për shkak se i njëjti, më parë në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur E.S”.

“Me këtë në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ nga neni 147 paragrafi 1 nën paragrafi 3 dhe 9 lidhur me nenin 23 të KPPK-së (Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës)”, thotë PSRK-ja, raporton Klankosova.tv.

Dje në orët e pasdites, policia njoftoi se është arrestuar Ilir Avdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, i cili për disa vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasje.

Ai u prangos dje rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës.

“Arrestimi i tij është kryer, pas bashkëpunimit dhe koordinimit të njësiteve të ndryshme policore, përfshirë sektorin e narkotikëve të cilët kanë asistuar deri në arrestimin e tij”, thuhej në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se “Liza” dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e policit Triumf Riza, në vitin 2007.