EKSKLUZIVE| “Grushta” mes gjeneralëve në FSK, shkaku i gradimeve për oficerë e nënoficerë

Gradimet për oficerë e nënoficerë kanë shkaktuar telashe brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Portali arbresh.info merr vesh se në një takim të paradites, ku ishin të pranishëm tre gjeneralë të FSK-së “kanë kërsitë grushtat”, siç shprehen burime brenda FSK-së.

“Më 20 korrik, janë rrahur Gjeneral Enver Cikaqi dhe Gjeneral Xhevahir Geci, në zyrën e Gjeneral Jeton Dreshajt, si pasojë e procesit të gradimit që është duke u zhvilluar në FSK, për oficerët dhe nënoficerët”, bënë të ditur i njëjti burim.

Por, Zyra për Medie e Ministrisë së Mbrojtjes ka mohuar për arbresh.info se në këtë datë ka ndodhur diçka e tillë.

“Kjo që po e thuani ju është një dezinformatë e pa bazuar, për shkak se në atë datë asgjë s’ka ndodhur, nuk e di se nga ju ka ardhë kjo informatë e kotë juve, ne nuk kemi kësi lloj ngjarje. Mos u merr me këtë punë, se s’ka ndodhë sen në qat ditë, e asnjë problem”, është shprehur Shala për arbresh.info.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, në raportin “Integriteti në Forcën e Sigurisë së Kosovës” sqaronte se në FSK “ka sfida sa i përket menaxhimit të burimeve njerëzore, sidomos në fushat: përshkrimi i detyrave në vendin e punës si dhe gradimit për zyrtarët dhe pjesëtarët e MFSK/FSK”.

Ministria e Mbrojtjes në Planin e Integritetit 2016/2018 parasheh që gjatë procesit të ngritjes në karrierë dhe gradimit duhet domosdoshmërisht që të përzgjidhen kandidatët më të mirë bazuar në kushtet dhe kriteret e kërkuara me ligj.

“Legjislacioni aktual është solid megjithatë vlerësimi i përformancës duhet të jetë objektiv dhe duhet t’ i shërbejë gradimit meritor të stafit. Integriteti ngërthen, para së gjithash, qasje të barabartë në gradim pavarësisht përkatësisë etnike apo orientimit gjinor”, thuhet në dokument.

Sipas këtij dokumenti Menaxhimi i Burimeve Njerëzore është sfiduar nga disa elemente të patronazhit, politizimit dhe mënyrën klanore të menaxhimit gjë që rrezikon përpjekjet për ngritjen e integritetit në MBNJ.

Aty thuhet se “Lypset nevoja për ndërtimin e sistemit të vlerësimit të performancës, rekrutimin e bazuar në meritë qoftë për personelin e uniformuar edhe atë civil, si dhe kërkohet ngritja e transparencës në procesin e gradimit”./E.Ballazhi/arbresh.info/