Kërkohet paraburgim për të dyshuarit për shantazh ndaj Agim Bahtirit

Prokuroria e Mitrovicës ka kërkuar 30 paraburgim për dy të dyshuarit nga Lipjani, 23 vjeçari B.SH. dhe 24 vjeçari F.S. që u arrestuan nga Policia e Kosovës mbrëmjen e 24 nëntorit.

Valon Preteni, zëdhënës i prokurorisë në Mitrovicë, ka konfirmuar për KALLXO.com se ndaj dy të arrestuarve është kërkuar 30 ditë paraburgim.

“Mund të konfirmoj se ndaj këtyre dy personave është bërë kërkesa për caktimin e paraburgimit”, tha Preteni.

Ata dyshohen se kanë kërkuar nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri 25 mijë euro si shantazh për të mos i publikuar disa fotografi ”të cilat do të ndikojnë në imazhin e tij dhe të familjes së tij”.