Jepet tenderi 20 milionësh për zgjerimin e rrugës Kijevë-Dollc, punimet fillojnë së shpejti

Një vit pas nisjes së procedurave, këtë të enjte është finalizuar procesi i përzgjedhjes së kontraktuesve për zgjerimin e rrugës nacionale Kijevë-Dollc.

Ministria e Infrastrukturës i ka përzgjedhur sot fituesit e tri prej katër lloteve të tenderit për “Zgjerimin e Rrugës Nacionale N9- Segmenti Kijevë-Dollc”. Për një llot nuk kanë përfunduar ende procedurat.

Llotet 2, 3 dhe 4 i kanë kushtuar Ministrisë së Infrastrukturës mbi 20 milionë euro në total, raporton Paparaci.

Për llotin e dytë, fituese është përzgjedhur oferta e një konsorciumi të kryesuar nga “Empreus” Sh.P.K., një kompanie me bazë në Prishtinë. Vlera e përgjithshme e kontratës për këtë llot peshon 6.2 milionë euro.

5.4 milionë shtesë vlen kontrata për llotin 3, bazuar në njoftimin e publikuar në platformën e-prokurimi. Përfitues i kontratës për këtë llot është një konsorcium i një kompanie lokale “Lika Trade”, një kompani me bazë në Deçan dhe Tofi Doo, një kompanie me seli në Rozhajë të Malit të Zi.

Ndërkaq, për llotin 4 fituese e kontratës është përzgjedhur një konsorcium i udhëhequr nga “Famis Co-HC”, një kompani nga Suhareka

Sipas Dosjes së Tenderit, afati për përfundimin e punimeve në zgjerimin e rrugës Kijevë-Dollc është 36 muaj.