Jashari i quan të vonshme vendimet e Hotit dhe MASH-it, ka një porosi për ta

Ministria e Arsimit minuta më parë ka lëshuar një njoftim që dita e sotme është ditë pune edhe në institucionet arsimore, por kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj po e sheh këtë vendim si të vonshëm, njëjtë sikur të kryeministrit, Avdullah Hotit.

Ai në një prononcim për Sinjalin tha se edhe vendimi i kryeministrit Hoti edhe ky tani i MASH-it janë vendime të vonuara, pasi që dita e sotme sipas kalendarit të MASH-it për vitin shkollor ishte paraparë ditë pushimi dhe se procesi mësimor nuk është zhvilluar.

“Edhe vendimi i kryeministrit Hoti që ishtë në orët e vona të premtës, edhe vendimi i MASH-it në këtë orë janë vendime të vonuara. Ne jemi duke e përcjellë gjendjen në institucionet arsimore dhe 90% e tyre në nivel vendi e kanë respektuar vendimin tonë që kjo ditë të jetë pushim, ka laramani aty këtu”.

“Në Prishtinë ka numër të vogël të shkollave që kanë tentuar të punojnë. Edhe aty mësimi nuk është zhvilluar si duhet për arsye se ka pasur numër të vogël të nxënesve dhe të personelit shëndetësor. Një situatë të tillë e kemi edhe në Drenas kur një numër i vogël i shkollave kanë dashur të punojnë”.

Jashari porositi institucionet e Kosovës që në të ardhmen vendimet duhet t’i sjellin në kohë pas konsultimeve me SBASHK-un dhe sindikatat tjera.

“Institucionet e Kosovës duhet të mësohen në të ardhmen që vendimet e tyre t’i sjellin me kohë dhe t’i sjellin pas konsultimeve me biseda me partnerët, në këtë rast me SBASHK-un dhe sindikatat tjera. E jo në qaste të fundit ngase na kanë vënë në një pozitë në çfarë jemi tani”.

Po ashtu ai për Sinjalin tregoi se mësimdhënësit treguan unitet dhe e mbrojtën vendimin e tyre.

“Mësimdhënsit e Kosovës dhe punëtorët arsimorë ashtu si në të kaluarën, edhe tani treguan unitetin dhe e mbrojtën vendimin që e kanë sjellë vetë”.

“Ne e kemi dhënë deklaratën tonë të saktë duke u bazuar në kalendarin e MASH-it për vitin shkollor që jemi , ku qartazi thuhet në sqarim se pasi Dita e Flamurit është në ditën e shtune, për hir të kësaj feste, dita e hënë është pushim”.

“Nuk është zhvilluar procesi mësimor, nuk kishte planifikim të mbahej mësimi pasi që ishte ditë pushimi në kalendarin e MASH-it për vitin shkollor”.