“Ja e marrim tokën, ja kanë me t’marrë plumbat”- Vëllezërit Islamaj ishin arrestuar para 3 muajsh, kërcënuan familjarin e personit që i vrau

Vrasja e dyfishtë në Madanaj të Gjakovës, të dielën mbrëma, shënoi tragjedinë e radhës si pasojë e pronës. Dy vëllezërit, Blerim dhe Haxhi Islamaj, u qëlluan me armë zjarri nga Gjergj Gjokaj dhe për pasojë mbetën të vdekur. Këtij rasti tragjik dyshohet se i ka paraprirë një konflikt pronësor që daton qysh kohë më parë mes dy palëve, raporton Gazeta Sinjali.

Hiç më larg se para tre muajsh, të ndjerët vëllezërit Islamaj, kishin përfunduar në prangat e Policisë, nën dyshimin për kërcënimin e Gjonit, familjarit të dorasit Gjergj Gjokaj.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije ekskluzivisht se ngjarja kishte ndodhur në fshatin Rrypaj të Gjakovës, më 21 mars të këtij viti, fiks para 3 muaj e ca ditësh.

Dy vëllezërit Islamaj dyshohej se e kishin kanosur seriozisht 45-vjeçarin Gjon Gjokaj, fë cilit ia kanë bllokuar rrugën me ekskavator, duke mos e lënë që të kalojë.

Sinjali pati raportuar për këtë rast që ishte denoncuar në Polici nga Gjoni, i cili i kishte njoftuar organet e rendit se të dyshuarit të cilët janë nga e njëjta familje, e kanë kërcënuar se ose do e marrin ata tokën, ose do e marrin plumbat atë.

Vëllezërit Islamaj e kishin kërcënuar Gjokajn se ajo tokë s’do i duhet askujt, nëse nuk e marrin ata.

Kanosja ndaj Gjon Gjokajt iu kishte kushtuar me arrestim dhe ndalim dy vëllezërve Islamaj, të cilët u vranë mbrëmë në Madanaj.

Ishte vet Gjon Gjokaj ai që e konfirmoi mbrëmë për Sinjalin se ka pasur probleme me dy vëllezërit Islamaj.

Përmes linjës direkte, ai e pohoi se në të kaluarën kishte kontekst pronësor, mirëpo thotë se nuk ka lidhje me vrasjen e tyre.

“Jo, s’kemi lidhje me rastin se unë jam në Zvicër. Une kom pasë kontekst pronësor me ta. Qysh e mora une lajmin, ata rojat…personat e përfshirë aty ma kanë përmend emrin. Unë jom në Zvicër, s’muj me të thonë kurgjo. Nuk kom lidhje me këtë vrasje”, u shpreh Gjokaj për Sinjalin.

Rrethanat në të cilat ndodhi rasti janë akoma të dyshimta, por Sinjali iu sjellë të gjitha detajet të cilat i publikoi mbrëmë ekskluzivisht.

Gjithçka dyshohet se ndodhi pas orës 20:00, kur pas një përleshje fizike dhe të shtënave me armë, Policia gjeti dy vëllezërit e vdekur, në fshatin Madanaj. Vdekja e njërit prej tyre u konstatua në vendin e ngjarjes, ndërkaq tjetri u dërgua në spital, por pa shenja jete.

Haxhiu dhe Blerimi u qëlluan për vdekje pas mosmarrëveshjeve për pronë me të dyshuarin, që datojnë qysh kohë më parë. Por gjatë incidentit të mbrëmshëm, që përfundoi tragjikisht, u plagos edhe vet i dyshuari, Gjergj Gjokaj,

Sipas informacioneve të para, që pritet të konfirmohen gjatë hetimeve, vrasja e dyfishtë e dy vëllezërve dyshohet të jetë kryer në vetëmbrojtje. Krejt kjo, pasi Gjokaj u gjet i rrahur rëndë dhe i plagosur me armë zjarri.

Sinjali raportoi mbrëmë se të dyshuar për rrahjen dhe plagosjen e tij janë tani të ndjerët, vëllezërit Blerim dhe Haxhi Islamaj.

Policia ka kryer të gjitha ekzaminimet në vendin e ngjarjes, ndërkohë që u kap i dyshuari, i cili posa është identifikuar, fillimisht ishte kontaktuar përmes telefonit, ndaj të cilit është bërë kërkesë për dorëzim. Por kërkesa e Policisë, pasoi po ashtu me kërkesë nga vet i dyshuari.

Nga informatat e mbledhura deri më tani, burimet thonë se i dyshuari, Gjergj Gjokaj, në këmbim për t’u dorëzuar, ka kushtëzuar Policinë për ta dërguar te mjeku për trajtim mjekësor, si pasojë e plagëve që kishte pësuar pasi u sulmua nga dy vëllezërit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/