Ish-presidentët shqiptarë në Hagë: Kjo është lufta e fundit e drejtuesve të UÇK-së

Ish-presidentët shqiptarë takuan sot Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ata deklaruan se qëllimi i vizitës së tyre është të tregojnë mbështetjen për luftën e drejtë te Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa shtuan që ishkrerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në paraburgim.

Pas takimit, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi, si dhe ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko thanë se ish-krerët e UÇK-së po qëndrojnë të fortë moralisht dhe krenarë për luftën e drejtë të UÇK-së.

Sipas Moisiut, prokuroria po kërkon diçka qe nuk ekziston meqë UCK nuk ka pasur të bëjë me terrorizëm, shkruan KosovaPress.

“Ne erdhëm për t’i takuar, për t’i inkurajuar miqtë dhe shokët tanë të cilët po bëjnë një burgim te padrejtë për mua dhe shokët e mijë, por kështu paska qenë shkruar kjo punë. Sigurisht me qëllimin kryesor per të treguar se ne mbështesim luftën e UÇK-së, lufta e shqiptarëve të Kosovës ka qenë një luftë për liri, pavarësi, drejtësi, për t’u shkëputur nga skllavëria serbe shekullore dhe sigurisht nuk ka qenë aspak lutë terroriste siç po përpiqen për ta kthyer, për ta argumentuar se qëllimi i saj ka qenë terrorizmi që nuk është aspak e vërtetë. Ne mendojmë që në fund drejtësia do të fitojë, do të dalë e drejta, taksirat e këtyre drejtuesve të UÇK-së të vuajnë, kanë dy vjet aty e nuk dihet sa do vazhdojë akoma, sepse kanë dy vjet dhe akoma nuk e kanë formuluar akuzën pra janë në kërkim, në kërkim të një gjëje që nuk ekziston sepse nuk kanë pasur asgjë me terrorizmin”, tha Moisiu.

Ish-presidenti Rexhep Meidani tha se historinë nuk mund ta ndryshojnë prokurorët dhe gjykatësit derisa përmendi okupimin e dikurshëm serb në Kosovë dhe luftën e UÇK-së për çlirim.

“Është një mbështetje, jo vetëm për udhëheqësit kryesorë të shtetit dhe pavarësimit të Kosovës por vizita jonë ishte edhe një mbështetje e luftës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi kundër skllavërimit serb, ishte edhe një luftë e mbështetur nga gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe udhëheqësit kryesor botëror, në luftën jo vetëm për demokraci, por edhe luftën kundër pastrimit etnik dhe gjenocidit të ushtruar nga policia, ushtria dhe trupat paramilitare serbe, tha Meidani.

Se vizita e tyre është vetëm për mbështetje e jo ndërhyrje në drejtësi e tha ish-presidenti Bamir Topi.

“Sot ata ndodhen këtu për fat të keq ende pa një formulim të akuzës. Gjendja e tyre psikologjike ishte e shëndoshë, pra njeriu ka kaluar situata të vështira të luftës, ndjehet moralisht krenar për atë që ka kaluar dhe natyrisht janë duke pritur me shumë gjakftohtësi. Natyrisht ne nuk interferojmë në çështje të drejtësisë por jemi të bindur qe drejtësia do të shkojë në vend, sepse duket si një histori sikur ka qenë histori e shekullit të kaluar por historia e asaj çka ka ndodhur në Kosovë është një histori e kohëve moderne, te mos e harrojmë atë largim masiv, atë gjenocid që u zhvillua nga arkitekti i luftës në Ballkan sikurse ishte Millosheviqi”, tha Topi.

Vizita e ish-presidentëve u zhvillua me iniciativë të kreut Aleancës Kosova e Re dhe ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli. Ndërsa thirrjes së tij nuk i janë përgjigjur ish-krerët e shtetit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga.

“Ne pamë edhe njëherë, edhe njëherë u binda që ky është çmimi të cilin ata janë duke paguar për atë që ne ekzistojmë si shtet i pavarur dhe pavarësinë tonë. Nuk ka akuza personale për askënd, janë akuza absurde, gjoja se një organizatë kriminale, e mu kjo ‘organizatë kriminale’ e ka bërë të mundur pavarësinë e Kosovës dhe lirinë që ne gëzojmë. Nëse kjo është akuza kryesore që duhet të paguhet, pra këta djem janë duke e paguar atë. E pash se janë të inkurajuar, nuk janë të lodhur, janë më mirë se kurrë dhe ata e dinë që nuk janë në këtë burg për një krim qe vërtetë quhet krim por janë për të paguar çmimin për këtë që e posedon Kosova, lirinë dhe pavarësinë”, tha Pacolli.

Ish-krerët e UÇK-së janë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 pas konfirmimit të aktakuzës me pretendime për krime lufte dhe kundër njerëzimit por gjykimi ndaj tyre ende nuk ka filluar. Në paraqitjet e tyre të para ne gjykatë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm.

SHARE