Hoti më plan pesëpikësh për menaxhim të situatës në veri

Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar një plan pesëpikësh për menaxhimin e situatës pas sulmeve terroriste në veri të Kosovës.

Hoti ka theksuar rëndësinë e koordinimit dhe veprimeve të koordinuara për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë në këtë zonë të ndjeshme.

Postimi i plotë i Hotit:

Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën që shkoi nuk mund të cilësohet si sulm i një grupi të individëve të radikalizuar.

Armatimi i konfiskuar dhe sjellja e grupit terrorist dëshmojnë për një sulm terrorist të përgatitur profesionalisht, të cilën gjë mund ta bëjnë vetëm strukturat shtetërore të Serbisë. Nëse kjo nuk qëndron, atëherë Serbia është shtet i dështuar ku mbizotërojnë struktura të armatosura kriminale.

Institucionet ndërkombëtare dhe aleatët me të drejtë e kanë cilësuar këtë sulm si akt terrorist, por tani duhet me ngulm të kërkohet përgjegjësi nga Serbia në ndjekjen dhe dorëzimin e terroristëve.

Institucionet e rendit dhe ligjit të Kosovës, në bashkëpunim me aleatët, duhet të ndërmarrin operacione të gjera të kontrollit për të zbuluar të gjithë rrjetin terrorist.

Hetimi penal dhe gjykimi i personave të përfshirë në këtë akt terrorist duhet të bëhet sipas ligjit vendor, në respektim të konventave ndërkombëtare përkatëse, me transparencë maksimale, duke i informuar në vazhdimësi akterët ndërkombëtarë të sigurisë që operojnë në Kosovë dhe duke i ftuar ata ta përcjellin gjithë procesin e hetimit dhe gjykimit”.