Zyrtare: Vlera e koeficientit të pagave është caktuar 105 euro

Qeveria e Kosovës ka prezantuar sot vlerën e koeficientit të pagës në sektorin publik, raporton IndeksOnline.

Vlera e caktuar është 105 euro e cila do të shumëzohej pastaj me nivelin e koeficientit – që varion nga 2 deri në 18 – dhe do të prodhojë vlerën e pagës për të gjithë zyrtarët e sektorit publik.

Si i tillë, Ligji është dekretuar tashmë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare.

Sipas Ligjit për buxhetin e vitit 2023, i miratuar po ashtu në dhjetor të vitit të kaluar, buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro.

Aktualisht, paga mesatare bruto në Kosovë është rreth 480 euro në muaj.