Hidrodrini u jep afat borxhlinjve deri më 18 shkurt: Paralajmëron çkyçje dhe përmbarues

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” SH.A. në Pejë ka publikuar një njoftim zyrtar, duke ftuar konsumatorët shtëpiakë, komercialë dhe industrialë që të kryejnë pagesën e borxheve të akumuluara për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit.

Sipas njoftimit, konsumatorët në zonat e mbulueshmërisë së kompanisë, përfshirë komunat Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik, kanë afat deri më 18 shkurt të këtij viti për të shlyer obligimet financiare.

KRU “Hidrodrini” paralajmëron se në rast të mosshlyerjes së borxheve brenda afatit të caktuar, kompania do të detyrohet të ndërmarrë masa për arkëtimin e tyre, përfshirë: çkyçje individuale të konsumatorëve borxhlinj, dërgimin e rasteve tek përmbaruesi,si dhe forma të tjera ligjore.

Po ashtu, kompania njofton se gjatë kësaj periudhe, konsumatorëve borxhlinj u ofrohet mundësia e riprogamimit të borxhit në formë lehtësuese përmes kësteve.