Hoti thotë se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme mbetet opsion i hapur

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se opsioni për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme mbetet akoma i hapur.

Sipas tij, është për keqardhje që qytetarët nuk po i zbatojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe në kohë pandemie po organizojnë ahengje familjare, ku mundësia për shpërndarjen e virusit është tejet e lartë.

“Po bëjmë të pamundurën për t’i bërë ballë pandemisë. Jemi duke i koordinuar ndihmat që po na vijnë nga jashtë. Kur kemi kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ka qenë një situatë tjetër. Opsioni mbetet i hapur për gjendje të jashtëzakonshme, por ekspertët shëndetësor japin rekomandime që njerëzit nuk mund të rrijnë të mbyllur gjithmonë.  E vetmja zgjidhje është të respektohen masat që janë në fuqi. Ju keni parë aktivitetet të shtuar të Policisë në të gjitha rajonet e Kosovës. Është për keqardhje që masat të cilat janë në fuqi nuk po respektohen nga qytetarët që po organizojnë dasma e ahengje të ndryshme në këtë kohë pandemie”, ka thënë Hoti në T7, transmeton Gazeta Sinjali.

Më tej, ai ka shtuar se Kosova aktualisht po përballet me mungesë të shtretërve, për tha se janë duke punuar në këtë drejtim.

Ndërsa sa i përket ekzekutimit të pagesave nga Pakoja Emergjente e Qeverisë, kryeministri Hoti deklaroi se në javën e ardhme do të dalin me vendim./