Hetim për vdekjen e një personi në Istog, trupi dërgohet për obduksion

Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke u hetuar rasti i vdekjes së një personi në komunën e Istogut.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rreth orës 08:30 të 15 shkurtit, është raportuar se një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete.

Ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e viktimës, ndërsa njësitë përkatëse policore kanë dalë për të ndërmarrë veprimet procedurale.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut të vdekjes.