Hajnat ia mësyjnë stallave në Tërstenik të Pejës, vjedhin 5 krerë bagëti

Një dukuri e shpeshtë që po terrorizon blegtorët ne vende të ndryshme në Kosovë dhe që është shndërruar në shqetësim janë vjedhjet e bagëtive. Dy raste të tilla kanë ndodhur dje në fshatin Tërstenik të Pejës, në dy shtëpi,

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se rastet u zbuluan pas denoncimit të dy familjarëve, të cilët e njoftuan Policinë se dikush iu ka hyrë në stalla gjatë natës, ku janë vjedhur 5 krerë bagëti, 3 njërit e 2 tjetrit, vlera e të cilave është mbi 6 mijë euro.

Në bazë të dëshmisë së tyre, të dhënë para hetuesve policorë, vjedhjet dyshohet se janë kryer në orët e para të mëngjesit, periudhë kjo që është shfrytëzuar nga hajnat meqë familjet kanë qenë në gjumë.

Me t’u denoncuar rasti, Policia ka nisur hetimet për dy rastet, të ndara, që të identifikohen dhe kapen personi apo personat e përfshirë në rast.