Hajnat demolojnë dhe vjedhin në kishën katolike në Vërnakollë – dy të dyshuarit bien në prangat e Policisë

Një akt vandalizmi dhe vjedhje e rëndë është shënuar në një objekt fetar të braktisur në komunën e Vitisë.

Burime nga hetuesia bëjnë të ditur se më 14 korrik 2025, përmes informacioneve operative, Policia është njoftuar për dëmtim dhe thyerje të kishës katolike në fshatin Vërnakollë, një vendbanim tashmë i pabanuar.

Hetuesit së bashku me njësinë e krim-teknikës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se dy persona të panjohur kishin depërtuar me forcë në ambientet e brendshme të kishës dhe kishin vjedhur një pjesë të instalimit elektrik, konkretisht kabllot e rrymës, duke shkaktuar dëme materiale që ende nuk janë përllogaritur saktë.

Pas hetimeve intensive, janë identifikuar dhe intervistuar dy të dyshuarit, Durim Tafa, 31-vjeçar dhe Valon Bajrami, 26-vjeçar të cilët në prani të avokatëve e kanë pranuar veprën penale të vjedhjes.

Në konsultim me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë” dhe hetimet janë duke vazhduar.

Objekti fetar në fjalë është jashtë funksionit dhe nuk përdoret më nga besimtarët katolikë të asaj zone.
Sinjali

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata