Gjykata shpall fajtor të akuzuarin për dallavere me subvencione – I sekuestrohen 27 mijë euro dhe duhet të paguajë mbi 109 mijë euro për dëmin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 6 muaj burgim F.M., i cili akuzohet për veprën penale ‘Mashtrim me subvencione’, por që dënimi është zëvendësuar me gjobë prej 5 mijë eurosh.

Përmes një komunikate për media, Gjykata bën të ditur  se të akuzuarit i konfiskohet shuma e mjeteve në vlerë prej 27 mijë eurove, ndërsa obligohet që në emër të dëmit të shkaktuar në mënyrë solidare të paguajë shumën totale prej mbi 109 mijë euro.

“I akuzuari F.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, në bazë të nenit 44 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me propozimin dhe pajtimin e palëve pjesa e mbetur e dënimit i zëvendësohet në dënim me gjobë në shumë prej 5000 ( pesëmijë) euro, ndërsa koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 30.06.2021 e deri më datë 12.11.2021 i llogaritet në dënimin me gjobë të shqiptuar. Të akuzuarit F.M i konfiskohet shuma e mjeteve në vlerë prej 27,000.00€, ndërsa obligohet që në emër të dëmit të shkaktuar në mënyre solidare të paguaj shumën totale prej 109,520.00 euro”, thuhet në njoftim.