Për shtatë muaj, 14 vrasje në Kosovë

14 vrasje janë të raportuara në Polici vetëm brenda shtatë muajve. Të fundit janë ato në dy lokale, një në Prishtinë e tjetra në Klinë.

Për këto incidente me armë njohësit e sigurisë po kërkojnë shkarkime në Polici.

“Pra nga rasti në ‘Bon Vivant’ duhet të merren veprime të shkarkimeve në nivelin e drejtorisë rajonale të Policisë së Kosovës, në aspektin menaxherial do të duhet të kemi dorëheqje. Po njëkohësisht do të duhet të jepet përgjegjësi e parë, ministrit të Punëve të Brendshme, i cili duhet të bëjë një hap mbrapa duke mundësuar të kemi një riorganizim institucional në kuadër të MPB-së”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

Shifra e regjistruar për vrasje, sipas sociologut Jeton Brajshori, është e lartë dhe shqetësuese.

“Këto vrasje janë shumë shqetësuese, sepse kanë filluar të bëhen përditshmëri dhe në një shoqëri me krizë kur fillon të bëhet dhuna normalitet dhe përditshmëri, atëherë normalisht që e ardhmja do të jetë e zymtë për rininë tonë”, tha Jeton Brajshori, sociolog.

Brajshori tregon edhe disa nga shkaqet që mund të dërgojnë deri në kryerjen e këtij akti.

“Shkaqet janë problemet e ndryshme për arsye se ka probleme që trashëgohen më herët, kanë bërë probleme më herët, vazhdojnë në rrugë, vazhdojnë në lokale, siç e kemi parë rastin në Klinë, problemi është bartur nga Zvicra në Kosovë, këto janë shkaqet që trashëgohen dhe fatkeqësisht organet e drejtësisë nuk kanë arritur t’i parandalojnë me kohë”, tha Brajshori.

Megjithatë, Policia e Kosovës gjatë periudhës janar – korrik të këtij viti ka konfiskuar 636 armë, ndërkaq numri i municionit të konfiskuar është 9.531.