Gjest i madh nga Dinamo Zagreb, dy ndeshjet e radhës i luan për Shqipërinë: Kemi lidhje të fortë

Tërmeti që goditi Shqipërinë pak ditë më parë, ka bërë bashkë shumë kombe dhe klube futbolli për t’i ardhur në ndihmë zonave të prekura.

Natyrisht, mbështetjen më të madhe e ka dhënë Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë por nuk ka munguar mbështetja as nga vendet fqinje, Greqia, Mali i Zi apo Kroacia.

Dinamo Zagreb i është bashkuar nismës për të ndihmuar vendin tonë dhe në një komunikatë për shtyp, ka njoftuar se përfitimet financiare nga shitja e biletave për dy ndeshjet e radhës, do të vijnë në Shqipëri.

Dinamo e luajti ndeshjen e parë mbrëmjen e djeshme kundër Varazdinit duke fituar me rezultatin 1-0 falë golit të Gavranoviç, teksa ndeshjen tjetër e ka përballë Lokomotivës së Zagrebit në derbi, aty ku pjesë e Lokomotivës janë Uzuni, Tuci, Çokaj, Kastrati e Mersinaj.

Ndër të tjera, në komunikatë konsiderohet shumë e fortë lidhja mes Shqipërisë dhe Kroacisë ndërkohë që Dinamo Zagreb nuk ka harruar pa përmendur shqiptarët që kanë dhënë kontribut për ta, si Besnik Hasi, Amir Rrahmani, Endri Çekiçi, Kujtim Shala, Ardian Koznik, Besnik Prenga, apo edhe Fatos Beqiraj e Arijan Ademi që është njëkohësisht edhe kapiten i Dinamos.

SHARE