Gjermania në kërkim të më shumë punëtorëve nga Ballkani

Gjermania ka njoftuar se i nevojitet fuqi më e madhe punëtore dhe se për mbulimin e kërkesës Qeveria në Berlin e ka përshpejtuar procesin e pranimit në vend të ekspertëve të huaj.

Për këtë qëllim, në Bon është hapur një shërbim i ri që ta koordinojë njohjen e kualifikimeve profesionale të fituara jashtë vendit, raporton KTV.

Enti gjerman i Statistikave ka bërë të ditur se numri i qytetarëve të aftë për punë në Gjermani do të bjerë deri në vitin 2035 prej katër deri në gjashtë milionë. Si rrjedhojë, qysh tani mbizotëron mungesa e fuqisë punëtore në shumë degë punuese të vendit.

Sipas Odës Industriale dhe Tregtare të Gjermanisë, madje 56 për qind e kompanive e cilësojnë mungesën e fuqisë punëtore si rrezikun më të madh për funksionimin e tyre.

Që prej marsit në Gjermani do të hyjë në fuqi Ligji i ri për imigrimin e punëtorëve të kualifikuar. Ligji synon ta lehtësojë hyrjen në Gjermani të punëtorëve të kualifikuar nga vendet joanëtare të Bashkimit Evropian.

Në këtë mes, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë tradicionalisht cak i punëdhënësve gjermanë.