Gjashtë ditë pune në Japoni 1 mijë e 665 euro, për tre këshilltarë të Kadri Veselit

Gjatë marsit të këtij viti, tre këshilltarë të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli realizuan një udhëtim zyrtar në Japoni.

Blerand Stavileci, Avni Bytyçi e Gazmend Krasniqi për kohën sa qëndruan jashtë Kosovës, në këtë shtet të largët, morën plot 1 mijë e 665 euro mëditje, shkruan Gazeta inFokus.

Secilit prej tyre i takuan nga 555 euro.

Kështu thuhet në raportin financiar të Kuvendit të Kosovës për tre mujorin e parë të këtij viti, të cilin e posedon Gazeta inFokus.

Lexo edhe: Kadri Veseli nuk i kursen paratë e shtetit, për tre muaj shpenzoi gati 8 mijë euro për dreka zyrtare

Aty nuk tregohet edhe se sa para shpenzuan këshilltarët e Veselit për akomodim gjatë këtij udhëtimi dhe cili ishte qëllimi i vizitës.

Vizita e tyre zgjati gjashtë ditë.

Gazeta inFokus ka raportuar gjatë ditës edhe për një vizitë interesante të deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, në Vietnam.

Në fund të muajit shkurt, Brovina ka udhëtuar zyrtarisht në Vietnam, shkruan Gazeta inFokus.

Arsyeja e udhëtimit të saj në shtetin aziatik nuk dihet, veçse në raportin e shpenzimeve të Kuvendit për tre muajt e parë thuhet se Brovina qëndroi atje shtatë ditë.

Si mëditje për këtë udhëtim ajo mori 428 euro e 75 cent, përderisa akomodimi i kushtoi 174 euro.

Megjithatë, Brovina bëri edhe shpenzime të tjera në këtë udhëtim. Për këto shpenzime ajo u pagua edhe me 221 euro të tjera.

Gazeta inFokus ka provuar të kontaktojë me Brovinën për të marrë më shumë detaje për këtë vizitë, mirëpo me arsyetimin se është në rrugë nuk ka dashur të flasë.

Gazeta inFokus ka publikuar disa shkrime nga ky raport financiar