FFK KËRKON REAGIM NGA UEFA E FIFA NDAJ THIRRJEVE TË TIFOZËVE SLLOVAKË KUNDËR KOSOVËS

Federata e Futbollit e Kosovës ka dënuar thirrjet dhe sloganet e paraqitura sot në ndeshjen mes Slovan Bratislavës dhe kampionit të Kosovës, Feronikelit, në ndeshjen e parë të rrethit të dytë të Ligës së Evropës.

Në ndeshjen që Feronikeli e humbi 2 me 1, tifozët vendas bënë thirrje anti-Kosovë dhe vendosën parulla se “Kosova është tokë e shenjtë serbe”.

Përmes një reagimi, FFK ka kërkuar nga UEFA e FIFA të marrin masa sa më rigoroze ndaj këtyre thirrjeve dhe sloganeve. FFK ka kërkuar edhe nga Federata e Sllovakisë të reagojë ndaj këtyre sloganeve.

“Federata e Futbollit e Kosovës i dënon ashpër thirrjet dhe sloganet e paraqitura sot në ndeshjen e Europa Leagues në Bratislavë nga tifozët në ndeshjen Slovan – Feronikeli. Parullat dhe thirrjet e tilla, FFK-ja, i vlerëson si primitivizëm, të pakuptimta dhe natyrisht aspak reale.

Ëndrrat e Serbisë dhe të përkrahësve të tyre si dhe mashtrimet ndaj popullatës së tyre janë shumë të dëmshme edhe për vet ato klube dhe federatat e tyre, të cilat lejojnë këso anomali nëpër stadiumet e tyre. Me këtë rast, ftojmë UEFA-në dhe FIFA-n që të marrin masa sa më rigoroze (konform rregulloreve të tyre) ndaj këtyre thirrjeve dhe sloganeve, në mënyrë që kjo të ndikojë edhe në klubet e tjera në parandalimin e sjelljeve të tilla.

Njëkohësisht kërkojmë nga Federata Sllovake që të reagojë për këto slogane të porositura kundër klubit tonë kampion dhe u bëjmë me dije se jemi partnerë të barabartë në UEFA e FIFA. Ndërkohë, përgëzojmë futbollistët e KF Feronikeli që përkundër thirrjeve dhe sloganeve të tilla treguan lojë burrërore dhe besojmë në suksesin e tyre të mëtejmë”, thuhet në reagimin e FFK-së.

SHARE