ERA NË PREKAZ

Secilën lule
nga kopshti i shpirtit e nxore
dhe nga sytë shumë rreze
për secilin varr në Prekaz.
Mirë të pashë.

Ta ndjeva ushtimën
në baticën e syve,
pastaj shiun
që bie ende
në Kosovën
e një shprese.

Të ndjeva
kur fillove
me e mat ditën e 17 shkurtit
me orën e një ere tjetër
dhe nuk e di sa kohë
nuk i shqite sytë
nga fotografitë
e fëmijëve të Jasharëve
dhe nuk më the,
dhe nuk më thua ende
ata çka të thanë
e ti atyre çfarë u the,
aq shumë kohë
sy me sy,
aq gjatë ti me ta nën një shi,
nën një shi…

(Prekaz, 17 shkurt 2023)

MOS BJER O GJETH

Mos bjer o gjeth,
gjethet vdesin në vjeshtë,
por ti mos bjer aq lehtë o gjeth,
mos vdis kur të vdesin shokët,
mos vdis kur vdesin të gjithë.

Mos bjer o gjeth,
se në pllajat tona ende të kuqërreme
nuk ka rënë, bre, ndonjëherë, borë e zezë,
siç bie tash edhe në verë kjo e shkretë.

Kujto rrënjët, nxirri pak punë erës,
mos vdis aq lehtë, o gjeth!

PA AKORD TJETËR

Nuk i kanë hije
poezisë
asnjëherë
sallonet e luksit
as karriget
e rezervuara
për të mëdhenjtë.

Poezisë
nuk i kanë hije orgjitë.

Nuk i ka hije
poezisë
akord tjetër,
pos tingujve
e ritmeve
të jetës.

ME E PJEKË FJALËN

Ka më shumë se katër mijë vjet
që njerëzit e poqën fjalën
në pllaka dheu të tokës së vet,
për të jetuar ajo
përtej harrimit,
holokaustit,
komunizmit,
përtej dreqit e të birit…

Me dheun e tokës së vet
e poqën njerëzit fjalën,
sepse s’ishte zbuluar atëherë
as pergamena, as letra,
por dhimbja njerëzore
duhej shkruar diku,
duhej bërë libër i mirë
jeta e vdekja.

Në fillim fjalën mirë e poqën,
e bën farë shpirti dhe ashtu e mbollën,
sepse duhej shkruar,
duhej mbetur mbi tokë monument
dhimbja njerëzore,
dhimbja dhe intriga,
si këto sot që dhembin fort.

RITMI YT

Të ndërsejnë
e të ndërzejnë
kur shpihesh,
sërish shtrihesh,
e shpihesh
e shtrihesh
në ritmin tënd
të ditës,
në ritualin
pa fund
të mpirje-shpirjes
e shtrirjes.