Emri i Fan Nolit jetësohet në Bronx

“Sot është një ditë e shënuar për kombin shqiptar. At Fan Noli, një prej Shqiptarëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar përjetësohet me emrin e një rruge në New York.

Sot për çdo shqiptar është një ditë e pa harruar, një ditë lavdie e krenarie kombëtare e shtetërore. Një ditë e madhe që do mbesë historike në memorien tonë si komb e si mërgatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shërbimi i At Fan Nolit ndaj popullit, e shtetit e kombit të tij është gjeniale.

At Fan Noli përktheu në shqip shërbesat e Kishës Ortodokse, përktheu kryevepra të letërsisë botërore, shkroi poezi politike, ishte klerik, themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA, deputet dhe Kryeministër i Shqipërisë në të njëjtën kohë, drejtues i Diellit e themelues i Vatrës, një figurë e padiskutueshme poliedrike e kombit shqiptar. Kjo ditë e shenjtë përkon me 110 vjetorin e Vatrës.

At Fan Noli ishte një përkthyes i pashoq, erudit i rrallë, një filozof i mprehtë, poet i zjarrtë, historian i konfirmuar, politikan i shquar dhe një fetar i bekuar. Fan Noli ia kushtoi jetën Zotit dhe kombit të tij. Askush si ai nuk u investua për të mirën e popullit, shtetit e kombit shqiptar.
Lavdi përjetë veprës dhe kujtimit të At Fan Nolit” – Elmi Berisha