E vetmja me notën 10 në mjekësi, por nuk zgjedhet në asnjërën prej tri lëndëve që konkurroi si asistente

Shqipdona Lahu, studentja e cila kishte përfunduar Fakultetin e Mjekësisë më notën maksimale 10.0 nuk ka arritur të zgjedhet asistente në asnjërën prej tri lëndëve ku kishte konkurruar si asistente në këtë institucion.

Ajo përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, është shprehur të jetë e indinjuar, ndërsa këtë vendim të Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë e quajti të turpshëm, përcjellë Indeksonline.

“Se është kriminalizuar gjithçka në Kosovë u vërtetua edhe me vendimin e këshillit të FM për angazhimin e personelit akademik, me ç’rast unë si studentja me sukesin më të lartë në studime, prej ekzistimit të këtij fakulteti, nuk zgjedhem asistente në asnjërën prej tri lëndëve ku kam konkurruar, edhe pse isha e vetmja me notën maksimale(10.0).

Për shembull, në lëndën e Anatomisë angazhohen dy kandidatë, ku asnjëri nga ta, në dy provimet e kësaj katedre (Anatomi 1 dhe Anatomi 2) nuk ka
notë më të lartë se nota 8. Vallë si do ia dalin këta me studentët?!

Është turp të anashkalohen kandidatët që në këto dy provime kanë nota maksimale”, ka shkruar ajo.Shqipdona tutje thotë se kjo tregon se edhe këtu ka nevojë për një task-forcë për luftimin e korrupsionit, klientelizmit, krimit të organizuar dhe anomalive tjera.

“Për më tepër, kjo tregon më së miri nivelin në të cilin është katandisur arsimi në tërësi, e veçanërisht ai universitar, andaj nuk ishte e rastësishme gjetja e ORCA- s në të cilën potencohet se 72% e profesorëve të UP-së, nuk i arsyetojnë thirrjet e tyre akademike, e 45% prej tyre s’kanë asnjë punim shkencor të publikuar në revista të mirëfillta shkencore.