E raportoi rrejshëm si të zhdukur vëllain që iu arrestua në Serbi, gruaja nga Gjakova përfundon në pranga

Qytetarët që lajmërojnë rrejshëm në Polici për çfarëdo rasti rrezikojnë të futen në sherr me ligjin dhe të dënohen edhe me burgim. Raste të tilla nuk janë të rralla dhe shpesh motivet lidhen me synimin për të përfituar duke mashtruar,

Kështu ka vepruar së fundi një grua në Gjakovë, e cila ka raportuar rrejshëm në Polici se vëllai i saj është zhdukur dhe nuk di asgjë për fatin e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 37-vjeçarja kishte kërkuar ndihmën e Policisë pak ditë më parë, duke thënë se në fund të muajit nëntor, vëllai i saj me një veturë me qira kishte marrë rrugën për në Serbi.

Sipas saj, që atëherë ka humbur kontaktet me 44-vjeçarin dhe ka kërkuar ndihmë për gjetjen e tij.

Sinjali mëson se pas veprimeve hetimore, Policia ka zbuluar se e dyshuara ka deklaruar rrejshëm, pasi e njëjta ka qenë në dijeni që vëllai i saj është arrestuar dhe është dërguar në burgun e Nishit.

Si rezultat i kësaj, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarën, e cila është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që e dyshuara të dërgohet në mbajtje dhe e njëjta të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Deklarim i rremë’.