E konfirmon Rama: Do ta legalizojmë kanabisin për qëllime mjekësore

Kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se Shqipëria do të legalizojë kultivimin dhe eksportimin e kanabisit për qëllime mjekësore, pasi mori mendimin e qytetarëve në anketën e Këshillimit Kombëtar.

Sipas Ramës, ky është një vendim i qytetarëve, i cili do të zbatohet dhe që do të hapë një front të ri punësimi.

“Do të legalizojmë kanabisin për qëllime mjekësore dhe do të hapim një front të ri pune dhe rritje ekonomike. Ajo që qytetarët kanë thënë do të bëhet, nuk ka diskutim për të”, tha Rama.

Më shumë se 308 mijë persona nga 560 mijë që kanë marrë pjesë në anketën e Këshillimit Kombëtar i janë përgjigjur pozitivisht pyetjes se nëse Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kanabisit për qëllime mjekësore.

Pyetjes i janë përgjigjur negativisht 148 mijë pjesëmarrës në anketë, ndërsa 51 mijë të tjerë nuk kanë pasur një mendim për të.

Megjithatë, duhet të theksohet se në pyetje nuk parashikohet legalizimi i kanabisit për përdorim vetjak./A2Cnn