Dy ditë pasi u varros, qytetari nga Malisheva konfirmohet pozitiv me COVID-19

Në komunën e Malishevës janë konfirmuar edhe 5 raste të reja ku njëri prej tyre dy ditë më parë kishte vdekur.

Në njoftimin e Komunës thuhet se në mesin e 5 rasteve të reja të konfirmuara nga IKSHPK-ja, njëri prej tyre kishte vdekur dy ditë më parë dhe është varrosur.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në komunikim zyrtar me Komunën e Malishevës, i ka raportuar pesë persona të prekur me COVID-19, por njëri prej tyre dy ditë më parë ka vdekur dhe është varrosur”, ka njoftuar Komuna.

Po ashtu në Malishevë është konfirmuar edhe një rast i shëruar nga COVID-19, duke çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në këtë komunë në 89.

Që nga shfaqja e pandemisë në vend, në Malishevë kanë qenë të infektuar 142 persona, 89 janë shëruar, 9 kanë vdekur dhe 44 raste janë ende aktive.