“Dita e Forcës”/ Krerët e shtetit vizitojnë FSK-në, zemrat e qytetarëve rrahin sot me krenari të veçantë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ish-kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë vizituar sot Forcën e Sigurisë së Kosovës në kuadër të shënimit të “Ditës së Forcës”.

Delegacioni u ndal fillimisht tek kompania e armëve të Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë, ku u prezantuan armatimet, automjetet dhe pajisjet me të cilat operojnë trupat e FSK-së.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një adresim të veçantë, uroi oficerët, nënoficerët, ushtarakët në pension dhe stafin civil, duke theksuar se ushtria e Kosovës është ndërtuar mbi themele gjaku e sakrifice dhe sot gëzon respekt ndërkombëtar.