Deri në 1 metër borë në Kroaci e Bosnje, bllokohen edhe autostradat

Dje pasdite të gjitha rrugët që lidhin veriun e Kroacisë me Dalmacinë kanë qenë të mbyllura për të gjitha automjetet, ndërsa meteorologët edhe për sot kanë paralajmëruar që të mos përdoren këto rrugë për qarkullim.

Gjatë ditës dhe natës së djeshme një numër i madh i udhëtarëve kanë mbetur të bllokuar në rrugët drejt Likës dhe Gorski Kotarit për shkak të borës dhe erës së fortë dhe për këtë arsye, disa pasagjerë janë përkujdesur gjatë natës në qendrat e pranimit në Graçac, Gospiq, Obrovac dhe Knin.

Sipas matjeve të fundit, në Gospiq janë matur 70 centimetra borë. Për shkak të kushteve të jashtëzakonshme të motit, anëtarët e Shërbimit Kroat të Shpëtimit Malor (HGSS) po ndihmojnë banorët në Lika dhe Gorski Kotar.

Situatë pothuajse e njejtë është edhe në Bosnje e Hercegovinë, ku trashësia e borës ka shkuar mbi 50 centimetra në disa vende.

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot plotësisht i vranët dhe me reshje shiu. Vende-vende priten rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë, ndërsa në viset malore priten reshje bore. Reshje afatshkurtra bore mund të ketë edhe në disa zona më të ulëta mbidetare në veri dhe verilindje të vendit. Temperaturat minimale rreth 5 gradë Celsius, ndërsa maksimale deri në 12 gradë Celsius.