Dënohet me burgim Haki Rugova

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, është dënuar me një vit burgim efektiv për rastin ku ai akuzohej nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për konflikt interesi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharaxhiu, ndaj tij u shqiptua edhe dënimi plotësues dhe atë, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 26 mars 2018, nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014 ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes të Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289,119.85 euro.Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova i ka mundësuar interes financiar vëllait të tij, Gani Rugovës, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.

Por ky i fundit, më 17 janar 2018 me shkresë i ishte drejtuar ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj dhe pas konsultimit me ish-kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe me kryeprokurorin e Pejës, Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.

Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017 kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut.